Now Reading
Skicë Nga 1999: Shkollë, Luftë, Solidaritet

Skicë Nga 1999: Shkollë, Luftë, Solidaritet

Brënda në ashensor qëlloi pedagogja e letërsisë: “Po ti ku po shkon, kemi klasën?!”

E nxituar, dhe me frymarje të shpejtë, i tregova për lajmet ne Ballkan, dhe që më duhej t’a lija klasën se më prisnin studentët shqiptarë që përfaqësoja në shoqatën tonë kulturore. Duhej patjetër të printoja disa imazhe tronditëse të masakrave të femijëve në Kosovë, imazhe të sapo publikuara në një gazetë prestigjoze në New York,  dhe të fillonim urgjentë një aktivitet ndërgjegjësimi mbi atë qe po ndodhte në Ballkan.

 

 

Ngeli e shtangur dhe më dha leje të vazhdoja.  U nisa direkt për tek zyra e shoqatës dhe e lamë të takoheshim për plane se si do vepronim.  U ulëm, diskutuam, ftuam dhe miqtë tanë jo-shqiptarë, të gjithë me një pamje të ngrirë dhe të hutuar nga lajmet që po vinin nga Kosova.

Printuam imazhet në letër profesionale dhe me ngjyre. Ishte cështje shume serioze dhe vetëm servirja në menyrën më konkrete mund të ndërgjegjesonte trupin studentorë amerikane për padrejtësitë  kundra shqiptarëve, kundra femijëve tanë në fillim të shekullit XXI, ne mes të Europës.

Vrapova tek zyra e këshilltarit tonë, i nderuari profesori shqiptaro-amerikan David Avdul, i cili me ndërhyrjen e tij tek dekanja e studentëve, përshpejtoi procedurat për të prokuar një tryezë që do vendosej në koridorin kryesor të universitetit dhe do shërbente si pik referimi për informacione, reporte, imazhe dhe mbledhje fondesh.

U krye brënda ditës. Të nesërmen në mëngjes u ula në tryezë me të gjitha informacionet e përgatitura. Shikoja fytyrat e studetëve teska hynin dhe shikonin imazhet tmerruese; Nga mimika entuziaste dhe idealiste, ato transformoheshin në forma të shtangura, te ngrira, vetullat e ngrysura, sytë tepër të hapura tek skanonin imazhet me një lloj pabesueshmërie dhe lëvizje e kokës  sa majtas e djathtas sikur thonin: “E pamundur!”

What’s happening?, pyesnin direkt me plot sinqeritet.  Këtu filloja shpjegimet, në një form pasionante por të percartë nga pamundësia për ta shprehur vetë atë qe po përjetoja.

Këto javë, i’u distancova dhe punës part-time dhe iu dedikova kauzës për të mbledhur fonde për refugjatët nga Kosova, vecanërisht për femijët që ndodheshin në kampet e Kuksit dhe gjetkë në Shqipëri.

Njëren prej shume fundjavësh e rezervuam per një konference informuese me të ftuar profesionistë te fushave të ndryshme te cilet kishin qënë në Kosovë dhe kishin dokumentuar krimet c’njerëzore dhe spastrimin etnik.

Një ndër të ftuarit ishte zëdhënësi i Human Right’s Watch, Fred Abrahams, i cili sapo ishte kthyer nga Kosova me dokumentacione dhe prova të forta fotografike të krimeve. Gjithashtu i ftuar ishte dhe autori  autori i njohur i librit Kosovo: A Short History,  Noel Malcolm, si dhe mjek forens nga Hollanda qe kishte mbledhur goxha fakte mbi vrasjet barbare. Ftuam dhe komunitetin shqiptar si dhe studentet e universitetit. Pata nderin t’i mireprisja dhe t’i prezantoja keto figura që kishin rrezikuar jetën për të dokumentuar gjithcka.

Nga ana tjetër tryeza e fondeve vazhdonte të mblidhte rreth saj sudentë e pedagogë kuriozë dhe të gatshëm për të ofruar ndihmë. E benim këtë punë me turne, sipas orarëve të klasave dhe punëve të ndryshme të anëtarëve. Dhe me bashkëpunimin e shoqatës së grave shqiptare-amerikane, Motrat Qiriazi, me në krye Dr. Ana Kohen dhe Shqipe Malushin, arritëm të mblidhim goxha fonde në ndihmë të femijëve në kampe.

Ky ka qënë viti im 1999. Sot, njëzet vite më pas, shoh që një mohues i asaj masakre barbare të fëmijëve shqiptarë, shkel në tokën time, i ftuar, i mirëpritur, pa kërkuar falje, pa e pranuar të kaluarën. Madje shkel në qytetin tim të lindjes, në lagjen time të fëmijërisë. Përkëdhel disa femijë shqiptarë, bënë si i dhimbsur me pamjet e një qyteti të rrënuar që ende lëngon; Si një mik dashamirës dhe jo si një ish-funksionar i një Serbie gjakëpirëse. M’u duk sureale. Njëzetë vite më pas, 20 vite me ato imazhe në mëndje, 20 vite pa asnjë llogaridhënie, dhe ja tek ishte ish-ministri i propagandës serbe, i shoqëruar si mbret ne Durrësin tim – ëndrra mijë vjecare e fqinjit agresor.
Ai që është direkt i implikuar në ato vrasje barbare të fëmijëve shqiptarë.

A mund t’i vëre veshin apologjistëve të tij? Kurrën e kurrës.

Scroll To Top