Shqipëria, Vënd i Veçantë!
Objektiviteti mund të arrihet vetëm përmes një ndërthurjeje të distancës, kohës dhe këndvështrimit. U bënë disa vite që nuk kam shkuar në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe i jam ri-integruar jetës sime ne New York aq intensivisht duke mos patur as kohë për ndonjë program televiz shqiptar. As për gazeta apo revista. Besoj se u bë mjaftueshëm kohë të kem një pikëpamje pak më të kthjellët ose më të qartë mbi shqipërine; Pa pengesa sentimentale por me mjaftueshëm ngjyra emocionale.
Kam kuptuar që në Shqipëri fjala “mik” vlen më shumë se këtu. Kur të thërret miku në tel, në cfarëdo orari, ti përgjigjesh dhe bën kohë ta takosh menjëherë. Kjo nuk është aq e theksuar këtu. Këtu ka plot të njohur që tërë ditën sillen këndshëm dhe me mirësjellje por nëse ke ndonjë urgjence ose thjesht kërkon të dalësh spontanisht, e ke të vështirë. Spontaniteti është problematik. Jemi të gjithë me kalendar, program dhe orar në duar. Personalisht do shfletoj kalendarin së pari për të lënë një orar për takim qejfi me mikeshën apo mikun. Dita është e paracaktuar për aktivitete të ndryshme, dhe gjatë javës as bëhet fjalë të takosh miq jashtë dyerve të punës. Dhe është mirë mos të qëlloj ndonjë urgjencë gjatë javës; Do bësh mirë t’a mënjanosh për fundjavën.
Tjetra që më mungon është informaliteti që ekziston midis gjeneratave të ndryshme. Brezat nuk jan të izoluar nga njeri tjetri aq shumë sa këtu. Kjo sepse në shqipëri familja është ende gjëja më kryesore sëbashku me familjen e gjëre (ose fisin). Qokat e të dielave janë pjesë e traditës dhe normë shoqërore. Nëse mendoni se shumë tradita në shqipëri po zbehen po ua them që ka shumë të tjera që ende vazhdojnë dhe e identifikojnë vendin.
Për mua, për sa jetova atje, s’kishte gjë më të bukur se të dëgjoja familjarë duke hyrë e dalë c’do të diele që në 9 të mëngjesit. Ne fillim ishte bezdisje t’i dëgjoje zhurmat nëpër koridore aq herët në ditën ku këtej zgjohemi nga ora 12 pasdite. Sot e mendoj ndryshe. E shoh si një ritual që mban lidhjet ndërfjamilare dhe shoqërore në një vazhdimësi të sigurtë dhe shërben jo vetëm për këtë por dhe për t’a socializuar brezin e ri me të rriturit. Fëmijët ndajnë kohen dhe me breza të tjerë; Këtu kjo ndodh rrallë, gjatë festave kombëtare që festohen me barbeque, sport etj….por fëmijet prapë sikur i mënjanojnë, duke i lënë vec në lojrat dhe tryezat e tyre.
Mendoj se nuk është e shëndetëshme të kalosh fëmijërine dhe adoleshencën të izoluar vetëm me bashkëmoshatarë. Mendoj se kjo është një minus për perëndimin. Përtej socializimit të shëndetshëm, kalimi i kohës me breza të ndryshëm shërben dhe për një formim dhe mencuri më të herët sesa e fëmijëve në perëndim. Kjo jo në kuptimin negativ e të “rritur para kohe” por në kuptimin që interaksioni ndërbrezor vetvetiu fal një botëkuptim më të pjekur, më të kujdesshëm, më realist dhe më të mëncur sado i llastuar mund të jesh. Besoj se në Shqipëri dhe fëmija më i llastuar është më i mëncur se fëmija më realist në perëndim.
Gjithashtu më mungon kultura e kafes. Fillon punë këndshëm në kafene të këndëshme e jo me fluturim me kafe në dorë. E mbyll ditën po këndshëm, mundësisht me shokë me një gotë verë ose prap një kafe. Kultura e kafes është zemra e Shqipërisë. Eshtë rituali me i bukur i socializimit. Eshtë qendra e shoqërise dhe miqësisë. Kafeneja është vendi ku rigjenerojmë jo vetëm veten por dhe ritet dhe normat sociale si dhe zhvillimin linguistik. Vendi ku praktikojmë inteligjencën përmes humorit dhe batutave dhe ku bëjmë stërvitje të trurit. Besoj s’ka nevoj të përmend kënaqësinë emocionale dhe shpirtërore.
Dhe tjetër që më mungon është informaliteti. Për ne që jemi rritur në perëndim me shumë rregulla dhe ligje ardhja në shqipëri është si një clirim. Në fillim fare nuk e kupton por pas disa ditësh të ndihet vetja jashtmase i lirë. Ajo që mund të quhet “rrumpallë”, për ne le vend për liri pafund. Dicka që këtej s’e kemi. Rrëmuja në një sens është liri prej rregullave. Eshtë pak e rrezikshme për ne nëse nuk e njohim mirë vendin dhe njerëzit; Eshtë shumë e lehtë të meremi dhe ngatërrohemi me njerëz të gabuar ose të ecim në rrugica që s’i njohim që pasoj kanë vetëm zhgënjimin. Për këtë u sugjeroj të rinjve të rritur këtej të mësohen mirë me zakonet e përditëshme. Të informohen mbi zhargonin e përditëshëm dhe me psikologjinë e përgjithshme të shqiptarëve. Thjesht pyesni prindërit ose gjyshërit dhe do shmangni shumë gabime nga ajo ndjesia e lirisë së pafundshme. Survejoeni mirë vendin javën e parë; Sidomos njerëzit. Mënyrën e të folurit. Për cfar flasin më shumë. Ku e kanë mëndjen më shumë. Cfar u intereson e cfar s’u intereson. Cfar u duket e rëndësishme e cfar jo. Bëni këtë dhe do të shijoni atë lirinë ose clirimin prej rregullave shumë më shumë, me bukur dhe pa rreziqe e zhgënjime.
Dhe sigurisht, për tu mos harruar, është klima. Për këtë nuk duhen shumë fjalë. Një klimë e butë mesdhetare si në dimër si në verë (vapë e thatë), qiej të kthjellët bojqielli, gjelbërim i ndricuar e jo i zymtë.